Vitet e fundit, Shqipëria ka marrë tiparet e një shteti administrativ, institucionet e të cilit, si ato qëndrore dhe ato që përbëjnë zinxhirin e qeverisjes vendore, me natyrën e funksionimit të tyre, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Në aktivitetin jetësor qytetarët përballen me ndalesa ligjore, shkelja e të cilave, kur nuk përbën natyrë penale, shpesh i ballafaqon ata me sanksione administrative, që janë gjobat.
Në veprimtarinë e tyre, organet e qeverisjes nxjerrin akte administrative, të cilët përfshijnë në vetvete masa dhe veprime administrative, me fuqi shtrënguese në emër të shtetit.
Sikurse e përcakton doktrina juridike, akti administrativ është një koncept thelbësor i së drejtës administrative dhe identifikon shfaqjen e vullnetit të pushtetit nga organet që ushtrojnë veprimtari administrative, bazuar kjo në Kushtetutë dhe ligjet e tjera në fuqi.
Mirëpo, sikurse nxjerrja e aktit, edhe mosnxjerrja e një akti administrativ, veprimi apo mosveprimi administrativ apo dhe kontrata administrative, janë koncepte që afektojnë jetën e qytetarëve.
Duke qenë se çdo akt i nxjerrë nga organi kompetent, është shfaqje e vullnetit të atij organi, me pasoja për palën/qytetarin, për të mbrojtur interesin e tij, subjekti mund ta ankimojë atë, duke kërkuar, sipas rastit, pavlefshmëri, shfuqizim të tij në një organ më të lartë dhe më tej, pranë gjykatës administrative.
Edhe gama e çështjeve administrative është relativisht e gjerë dhe mundësia për t’u përballur me to, është jo e vogël. Një vend të rëndësishëm zënë çështjet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, kur kemi të dhëna të pavërteta ose të pasakta të dokumentacionit, lidhur me vitet e punës së personit kërkues; gjobat e ndryshme për përdoruesit e automjeteve, në fushën e ndërtimit etj.
Roli i avokatit tuaj në çështjet e natyrës administrative është gjithashtu i një rëndësie të veçantë dhe mund të zërë vend qysh në ballafaqimet e para me zyrtarët e administratës publike apo agjencive të tjera të qeverisjes, të cilët, referuar praktikës, në jo pak raste veprojnë jo në përputhje me rregullat dhe normat që ua kërkon detyra.
Avokati ndihmon në mbrojtjen e interesit tuaj, duke u angazhuar të verifikojë dhe sigurojë ndjekjen e procedurës së rregullt ligjore nga ana e organit kompetent për nxjerrjen e një akti adimintrativ, kryerjen apo moskryerjen e një veprimi tjetër administrativ, respektimin e një kontrate administrative.
Bazuar këto në:
- Kushtetutën e RSH;
- Ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurës Administrative”;
- Ligjin nr. 8116, dt. 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile”;
- Ligjin nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
- Ligjin nr. 13/2016, dt. 18.02.2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në RSh”;
- Ligjin nr. 8378, dt. 22.07.1998 “Kodi Rrugor i RSH”;
- Ligjin nr. 107/2014, dt. 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”;
- Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH” etj.