Çështje Familjare

Periudha e tranzicionit politiko-ekonomik ka shënuar një lloj shkundjeje dhe në aspektin shoqëror, kryesisht në atë të familjes shqiptare.

Është fakt që, për shkak të problemeve social-ekonomike, jetesës larg njëri-tjetrit të bashkëshortëve – përmend këtu fenomenin e emigracionit në masë – familja shqiptare prej vitesh gjendet në krizë.

Tregues’ fanatik i këtij fakti janë statistikat lidhur me numrin e divorceve në gjykatat shqiptare.

Megjithatë, pavarësisht vlerës numerike statistikore, e cila mund të njohë një lloj dinamike të ndryshueshme në kohë, është fakt që, zgjidhja e martesës – divorci, përbën një dukuri të zakonshme në shoqëri. Zgjidhja e martesës nënkupton mbarimin e saj, duke qenë bashkëshortët gjallë. Situatat që çojnë në zgjidhjen e saj, janë të parashikuara nga Kodi i Familjes së Republikës së Shqipërisë dhe konkretisht, në aspektin përgjithësues, janë klasifikuar si:

  • Zgjidhja e martesës me pëlqimin reciprok të dy bashkëshortëve (Nenet 125-128 të KF);
  • Zgjidhja e martesës për ndërprerje të jetesës së përbashkët (Nenet 129-131 të KF);
  • Zgjidhja e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort (Nenet 132-133 të KF).
  1. Pëlqimi reciprok i bashkëshortëve (Nenet 125-128 të KF).

Zgjidhja e martesës me pëlqimin reciprok të bashkëshortëve, rregullohet nga nenet 125-128 të Kodit të Familjes. Ky është rasti kur bashkëshortët kanë një perceptim të njëjtë për situatën bashkëshortore dhe janë mirëkuptues me njëri-tjetrin. Kjo, pasi vetëm në këto kondita, ata mund të bien dakord dhe të nënshkruajnë për ta dorëzuar në gjykatë projektmarrëveshjen, që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës. Në varësi të kushteve specifike familjare të bashkëshortëve që shkojnë në zgjidhje martese, do të jetë dhe natyra e projektmarrëveshjes që i paraqitet gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën për ta miratuar atë.

Përgjithësisht, projektmarrëveshja duhet të ketë parashikuar rregullimin e pasojave, që lidhen me gjithë komponentët përbërës të rastit, duke patur në fokus parimin e konsoliduar të “Interesit më të lartë të fëmijës”. Pjesë e projektmarrëveshjes mund dhe duhet të jetë:

  • Lënia për rritje dhe edukim e fëmijës së mitur;
  • Masa e kontributit si detyrim ushqimor për fëmijën e mitur e bashkëshortit, të cilit nuk i është lënë fëmija si dhe mënyra e pagesës;
  • Grafiku për takimin e fëmijës së mitur me prindin tjetër, të cilit nuk i është lënë për rritje dhe edukim fëmija;
  • Kontributin e bashkëshortit për bashkëshortin nevojtar, nëse jemi në ato kushte;
  • Rregullimin e marrdhënive pasurore midis bashkëshortëve.
  1. Për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët (Nenet 129-131 të KF).

Në të drejtën familjare dhe në Kodin e Familjes, për të patur statusin martesor, del në pah përcaktimi që bashkëshortët kanë detyrimin për jetesë të përbashkët. Mungesa e jetesës së përbashkët mes bashkëshortëve – nëse zgjat tej afatit 3-vjeçar, vlerësohet si një shkak i justifikuar, i cili mund të çojë në zgjidhjen e martesës.

Zgjidhja e martesës me shkak ndërprerjen e jetesës së përbashkët, gjendet e lidhur me dy elementë specifikë:

  • Bashkëshortët të jetojnë faktikisht të ndarë nga njëri-tjetri dhe,
  • Kjo gjendje fakti (largësie), të njohë një vazhdimësi prej tre vjetësh.

Bashkëshorti që kërkon zgjidhjen e martesës me këtë shkak, duhet të paraqesë kërkesëpadi në gjykatë, duke përcaktuar si bazë ligjore nenin 129 të Kodit të Familjes.

Procesi gjyqësor konkret do nisë me seancën e pajtimit, sipas kërkesave të neneve 134-136 të Kodit të Familjes.

  1. Me kërkesën e njërit bashkëshort (Nenet 132-133 të KF).

Zgjidhja e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort fillon me paraqitjen e kërkesë-padisë në gjykatë nga pala kërkuese që është paditësi. Edhe procesi gjyqësor i zgjidhjes së martesës me këtë shkak ligjor, do të nisë me kërkesat e neneve 134-136 të Kodit të Familjes. Gjykata do të bëjë përpjektje për pajtim, duke vlerësuar nëse janë apo jo kushtet për të apo, nëse vullneti i palës që ka nisur procesin, është i vesuar apo jo.

Pas konsumimit të seancës së pajtimit, kur nuk arrihet pajtimi mes palëve, gjykata merr vendim për kalimin në seancë gjyqësore, duke vijuar me shqyrtimin e kërkesëpadisë. Ndër shkaqet e renditura në dispozitën e nenit 132 të Kodit të Familjes, janë

  • Grindjet e vazhdueshme;
  • Keqtrajtimet dhe fyerjet e rënda;
  • Shkelja e besnikërisë bashkëshortore;
  • Sëmundja mendore e pashërueshme;
  • Dënimi penal i rëndë i bashkëshortit dhe,
  • Çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve martesore.

Shkaqet e përmendura më sipër, justifikojnë kërkesën për zgjidhjen e martesës përpara gjykatës, duke u konsideruar si tregues i faktit që bashkëshorti/ët nuk u kanë qëndruar besnikë detyrimeve që rrjedhin nga martesa, që e bëjnë të pamundur jetesën e përbashkët dhe dëshmojnë se martesa e tyre e ka humbur qëllimin, për të cilin u lidh.

Në çdo rast, lidhur me shkaqet ligjore për zgjidhjen e martesës, parashikuar nga nenet 125-133 të Kodit të Familjes, gjykata do të dalë me një vendim, duke u shprehur për të gjitha kërkesat e bëra në kërkesëpadi, duke rregulluar kësisoj edhe pasojat e zgjidhjes së martesës.

Mirëpo, përtej këtij momenti, përtej dhe ezaurimit të mjetit ligjor të ankimit ndaj vendimit të një gjykate më të ulët,- edhe pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë, të jetë ekzekutuar,- praktika ka treguar që mund të lindin problematika të ndryshme mes ish-bashkëshortëve, kryesisht përsa u takon fëmijëve të mitur dhe, vendimi gjyqësor i ekzekutuar ballafaqohet me një situatë të re, e cila do duhet rregulluar gjithashtu, duke iu përgjigjur kushteve të reja. Pra, edhe pasi vendimi i gjykatës të jetë ekzekutuar, këshillimi me avokatin është gjithmonë i nevojshëm.

Disa aspekte të tjera të çështjeve familjare janë dhe ato që lidhen me pavlefshmërinë e martesës; përzjgedhjen e regjimit pasuror; pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore; njohja e amësisë dhe kundërshtimi i saj; njohja e atësisë dhe kundështimi i saj etj.

Lidhur me sa më sipër, zyra jonë angazhohet për të dhënë ndihmën e duhur ligjore në aspektin procedural, si në kuadër të përçapjes për pajtim paragjyqësor, po ashtu dhe në përcaktimin në mënyrë shteruese të kërkesave deri në realizimin final, sipas pritshmërisë së palës që përfaqësojmë. Sigurisht që, synimi ynë përgjatë gjithë procesit, ka në fokus përfitimin e së drejtës, pa mohuar dhe premisën e një qasjeje pragmatiste në favor të klientit.

  • Bazuar këto:
  1. Kushtetutën e RSH;
  2. Ligjin Nr. 9062, datë 08.05.2003 – “Kodi i Familjes”,(i ndryshuar);
  3. Ligjin Nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijes” etj.