Pasionet e mia përtej avokatisë

Përtej zellit dhe nevojës së arsyeshme për profesionin, ekziston edhe një fushë tjetër, tek e cila qasem shpesh dhe, që duket se gjendet në “kontradiktë” me të parën. Kjo, pikërisht prej faktit se, nëse profesioni i avokatit kalit ftohtësinë, përmbajtjen e emocioneve dhe dikton shtypjen e tyre, krejt të kundërtën ka si kërkesë arti. Megjithatë, përbashkimi dhe harmonizimi i të dyjave gjendet, sipas meje, në faktin që kanë në thelb interpretimin, humanizmin, rregullin dhe aspektin krijues gjithashtu.

Pasioni im i parë lidhet me instrumentin e kitarës, të cilin, përveç të tjerash, kam patur fatin ta përshfaq edhe si profesionist – pjesë e formacionit orkestral në trupën profesioniste të Teatrit të Estradës, Lushnjë .

Një pasion tjetër, jo më pak mundësues për çlirimin e energjive dhe impulseve krijuese për mua, është ai që lidhet me të shkruarit: shkruaj poezi dhe prozë.

Kam një eksperiencë modeste edhe në fushën e redaktimit, si pasionant dhe adhurues i gjuhës së shkruar shqipe, ku kam redaktuar disa libra me poezi, një novelë, dhe librin universitar “E drejta Administrative”, të prof. F. BERISHA & J. ZEJNELI.

Në funksion të prezantimit:

  • ***

Ajo dirigjon melodinë që luhet në kokën time,

ndërsa unë, nën atë ritëm, nis e kërcej para saj.

Mirëpo, si për të shpërfillur faktin,

dirigjuesja i harron gjymtyrët, u jep përparësi vetëm syve:

Dhe s’heziton të thotë se është duke parë një të çmendur.

 

  • Fjala më ndihmoi të dukem, dukja, jo.
  • Kur e mendoj, ndal së menduari.
  • Pasioni me të cilin ajo fliste për mua, ma prezantonte në mënyrë të atillë veten time, sa, për t’mos u ndier xheloz prej atij ligjërimi plot pathos, më duhej që herë pas here, t’ia kujtoja vetes që po flitej, pikërisht, për mua.
  • PËRCILLNIM KOHËN

Më priste, e dija.

Prisja të deklaronte pritjen;

e prisja.

Pritshëm të dy,

… përcillnim kohën.

  • ***

Të shoh dhe fshihem;

e fsheh shikimin.

I mbyll qepallat, pasi e kam marrë fotografinë e asaj pamjeje të adhurueshme dhe,

përtypem sysh.

Shije fruti kam në sy,

aromë fantazie në mendje…

Duket, droja qenka ves!

Tinëz e shoh dhe filxhanin e kafesë që është aty për mua dhe,

përcillem dymendshëm, përtueshëm.

Endem e kalamendem mes atij tinëzimi që merr jetë prej teje

dhe bëhem i bindur, si i urtë…

Ndërsa u trembem syve të tu, po aq sa edhe e dëshiroj atë përshkënditje,

të mive u vë roje mendjen;

atë mendje që thotë se,

shikimi i tradhëton të pathënat…

 

  • PREJ ËNDRRE

Nuk do preferoja të dilja nga ëndrra ku jam me të,

edhe sikur ajo të vinte pranë realisht.

Tek e fundit, s’mund ta prish, ta le në mes një ëndërr,

për të parë një tjetër nga fillimi.

 

  • TË  NGOPEM

Të dëshiroj!
Të dua aq ethshëm, sa,
enën e pasionit dua ta boshatis;
t’ia marr lëndën të gjithën
e të të vesh me té,…
mbuluar të jesh…,
dëshirueshëm të të shoh!
E teksa ngjyra e pasionit t’më përshfaqet në një bojë njeriu përpara meje,
nxitueshëm dua të përplasem,
të nxjerr’ tinguj boshi prej ene të etur e, me sytë mbyllur,… të ngopem…!

 

  • INJORIM  DËSHIRASH

Ajo më pengon ta shijoj vetë atë:
S’njeh shije i pushtuari nga magji,
sikurse i verbër është ai
që sytë ia ka drejtuar dritës së diellit
në përçapjen për të parë përtej formës.
Ajo e pengon shigjetën e gjuajtur nga harku i syve, që vrullin e merr nga përthithja e ethshme zaptuar nga dalldi pasioni.
Si duket, ajo më ndihmon me pengesë,
duke ditur mirë të jetë magjepsëse;
ndërkohë që unë, mbetem në kufijtë e të magjepsurit – adhurues i magjisë që e ka zënë.

  • ÇËSHTJE  MAGJIE

Ajo më pengon ta shijoj vetë atë:
S’njeh shije i pushtuari nga magji,
sikurse i verbër është ai
që sytë ia ka drejtuar dritës së diellit
në përçapjen për të parë përtej formës.
Ajo e pengon shigjetën e gjuajtur nga harku i syve, që vrullin e merr nga përthithja e ethshme zaptuar nga dalldi pasioni.
Si duket, ajo më ndihmon me pengesë,
duke ditur mirë të jetë magjepsëse;
ndërkohë që unë, mbetem në kufijtë e të magjepsurit – adhurues i magjisë që e ka zënë.

 

  • TI

Ti je bota, që për ta prekur, vidhem;

i iki gjithçkaje për të të takuar,

duke marrë me vete veten dhe shtysën e çastit

që më jep hovin për të fluturuar.

Ti nis qysh prej këtu,

sapo shkëpus këmbët nga toka;

sapo quhet se fluturoj…

 

  • ***

Kur flet ajo, heshtja ime nuk është thjesht, e prej heshtjeje,

por një melodi shoqëruese, që ndihmon “këngën”.

  • ***

Dobësia për tjetrin, duhet të jetë një shigjetë që merr fuqi nga mendimi yt për të, në drejtimin tënd.

  • ***

Asaj i paraprin një personazh, të cilin e kam “njohur” në ëndrrat e një kohe të shkuar, shfaqja ose jo e të cilit, bëhej përcaktuese për cilësinë e gjumit.