Në frymën e Ligjit Penal, doktrinës juridike dhe jurisprudencës së Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në fushën penale, çdo dyshim për akuzën, ekzistencën e veprës penale, shkon në favor të të dyshuarit/të pandehurit. Pra, në këtë kontekst, është detyrë e organit të akuzës të provojë që fakti penal ka ndodhur tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Për rrjedhojë, i dyshuari, i pandehuri, nuk ka barrën për të provuar të kundërtën, parim ky, i njohur si i prezumimit të pafajësisë, parashikuar edhe nga neni 4 i Kodit të Procedurës Penale.
Në këndvështrim të parë, e gjitha kjo, jep idenë se, personi i dyshuar, është komod dhe ka një pozitë të qetë pasive ndaj një procesi penal, sidomos kjo, kur kemi të bëjmë me një person të bindur për pafajësi.
Mirëpo, jo vetëm personi që, për një a më shumë arsye, shkaqe, rrethana, është i vetëdijshëm për përfshirjen brenda një fakti penal të dënueshëm, ka nevojë për një mbështetje ligjore nga një avokat, por çdokush që njoftohet, thirret edhe si person që ka dijeni per një ngjarje penale, ka nevojë për konsultën avokatore fillimisht. Kjo, pasi praktika ka dëshmuar që, për shkak të një deklarimi të papeshuar, të pakonsultuar me profesionstë të fushës përpara momentit të parë pranë oficerëve të policisë gjyqësore, shumëkush i ka krijuar kokëçarje vetes, duke u detyruar të rend’ për një kohë të gjatë dyerve ku trokitet me shumë droje, për të qartësuar çdo herë situatën e hallkës ku e kishte vendosur deklarimi i tij në zinxhirin penal me disa të dyshuar.
Përsa i takon personit të gjendur përballë fakteve të pakundërshtueshme apo të arrestuar në flagrancë, ka një rëndësi të dorës së parë, përcaktuese për fatin e gjithë procesit, ajo se çfarë do të deklarohet qysh në momentin e parë përballë OPGJ, gjithashtu.
Në respektim të Ligjit Procedural Penal, për marrjen/përligjjen e deklarimeve në momentin e parë të ndalimit/arrestimit, në mungesë të një avokati të zgjedhur, organi procedues cakton një avokat kryesisht, fakt që krijon vështirësi jo të vogla në përvijimin e strategjisë së ndjekur nga avokati juaj i zgjedhur më vonë.
Pra, avokati i zgjedhur prej jush, i kontaktuar nga ju qysh ne momentin e parë, është avokati juaj. Është pikërisht ai që merr përsipër mbrojtjen, duke përcaktuar qysh në krye të herës fokusin dhe, duke ndjekur rrugën e provave që lehtësojnë pozitën penale tuajën, realizon atë që quhet mbrojtje efektive.
Përtej konsulencës në aspektin e deklarimeve në vetën e parë të personit, të cilit i atribuohet vepra penale, personit nën hetim, të pandehurit, avokati juaj ka një rol kyç dhe aktiv në verifikimin e respektimit të procedurës penale, respektimin e afateve procedurale nga organi procedues, bërjen e kërkesave, memorieve, që ndihmojnë procesin në çdo fazë të hetimit; propozimin e marrëveshjes, duke pranuar fajësinë përpara organit të akuzës dhe u dakordësuar me masën e dënimit apo me urdhrin penal të caktuar nga prokurori në rastet e kundërvajtjeve penale.
Gjithashtu, edhe përsa i takon mbrojtjes ligjore për një të mitur në konflikt me ligjin, i cili në ditën kur ka ndodhur fakti penal, nuk kishte mbushur moshën 18 vjeç, ka një rëndësi themelore prania e avokatit qysh në momentin e parë të marrjes së deklarimeve, duke siguruar përfitimin e lehtësirave që jep vetë Ligji nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale Për të Mitur”.
Gjithaq e rëndësishme është konsulta me avokatin tuaj edhe nga pozita e të dëmtuarit apo viktimës së një vepre penale, ndonëse është organi procedues ai që ka një rol kryesor dhe “udhëheqës” në procedurën hetimore dhe e mbron interesin tuaj në emër të shtetit. Avokati, në çdo rast, për shkak të raportit më privat, më konfidencial, luan një rol mjaft ndihmues edhe në këtë aspekt, në funksion të dhënies së drejtësisë.
Gjithë çfarë është prezantuar në mënyrë parimore më sipër, dhe me gjuhë të përgjithshme, është gati të jetë burim i mbrojtjes në detaje juridike që paraqet çdo rast konkret, duke më vendosur mua – avokatin tuaj, në pozitat e atij që merr përsipër ta realizojë një gjë të tillë.
Përfaqësimi nga zyra ime ofrohet në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
Sa më sipër, bazuar në:
– Kushtetutën e RSH;
– KEDNJ;
– Ligjin nr. 7905, dt. 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale” (i ndryshuar);
– Ligjin nr. 7895, dt. 27.01.1995 “Kodi Penal” (i ndryshuar);
– Ligjin nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”;
– Ligjin nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.